**Vrasja e Arlinda Zekajt: I dyshuari Albert Sylaj ende në arrati, dy ditë pas krimit**

Dy ditë pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt, i dyshuari kryesor, ish-kunati i saj Albert Sylaj, vazhdon të mbetet në arrati. Ngjarja e rëndë ndodhi të dielën mbrëma, ku Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë, vetëm pak minuta pasi ishte kthyer nga stacioni i policisë.

Policia e Kosovës e shpalli Sylajn në kërkim të hënën, pas identifikimit të tij si autor i mundshëm i veprës penale ‘Vrasje e rëndë’. Deri më tani, nuk ka asnjë informacion zyrtar në lidhje me lokalizimin apo arrestimin e tij nga autoritetet. Shpallja në kërkim, e autorizuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, synon gjetjen dhe vënien para drejtësisë të Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia ka bërë thirrje për bashkëpunimin e qytetarëve, duke i ftuar të gjithë ata që mund të kenë informacione për vendndodhjen e Sylajt, të njoftojnë Policinë e Kosovës ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Ndërkohë, trupi i pajetë i Arlinda Zekajt do të varroset sot, në orën 15:00, në fshatin Radac të Pejës. Si shenjë proteste dhe solidariteti pas kësaj vrasjeje makabre, është thirrur një protestë kombëtare për të mërkurën. Në kujtim të Arlindës dhe për të rikthyer vëmendjen mbi rëndësinë e trajtimit të dhunës, në shesh pritet të rishfaqet edhe letra e saj drejtuar institucioneve, duke theksuar sfidat me të cilat ajo ishte përballur.