**Beyer: Qeveria e re serbe s’ndryshon qëndrimin për Kosovën, duhen zbatuar marrëveshjet**

Deputeti gjerman, Peter Beyer, është takuar të hënën me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, me të cilin ka diskutuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare serbe dhe ndikimin e tyre në formimin e qeverisë së re dhe të ardhmen e rajonit.

Beyer theksoi se ndryshimi i qeverisë në Serbi nuk nënkupton një ndryshim të kursit politik sa i përket çështjes së Kosovës.

Ai potencoi se të dyja shtetet ndodhen në një pozitë ku u kërkohet përgjegjësi, duke bërë thirrje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Specifikisht për Kosovën, Beyer tha se duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, siç e ka premtuar vetë. Megjithatë, ai shtoi se të dyja palët duhet të jenë të gatshme të afrohen drejt njëra-tjetrës për normalizim.

“Tani, të dyja vendet ndodhen në një pozitë përgjegjësie. Ato duhet t’i përmbushin detyrimet që rrjedhin nga marrëveshjet e Brukselit dhe të Ohrit. Kosova duhet të garantojë themelimin e vetëqeverisjes së premtuar për komunitetin serb. Të dyja palët duhet të jenë të gatshme t’i afrohen njëra-tjetrës. Normalizimi nuk funksionon nëse secila palë pret që tjetra të hedhë hapin e parë, ndërsa vetë mbetet e palëvizshme dhe e kënaqur me arritjet e saj të supozuara,” ka deklaruar Beyer.