Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur Beogradin mëngjesin e së mërkurës, më 28 tetor, duke shkaktuar dëme materiale dhe shqetësim te banorët. Incidenti ndodhi në afërsi të palestrës “Ahilej”, në bulevardin Mirijevski, ku, sipas raportimeve të para, fuqia e detonimit ka thyer xhamat e ndërtesave aty pranë.
Faqja “Moj Beograd”, duke cituar dëshmitë e qytetarëve, raporton se zhurma e fortë tronditi këtë pjesë të kryeqytetit serb, duke krijuar pasiguri dhe panik tek banorët.
Sipas informacioneve jozyrtare, dyshohet se në vendngjarje është hedhur një bombë, por ky pretendim nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga autoritetet.
Deri më tani, nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e sakta të shpërthimit mbeten të paqarta.
Ky incident vjen pak ditë pas fitores së bujshme të Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare në Serbi, ku ajo mposhti Partinë Progresive Serbe (SNS) të lidhur me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe pritet të ofrojnë detaje të reja në vijim.
