Qeveria shqiptare diskuton sot projektbuxhetin 2027, fokus te kompensimi për bizneset e dëmtuara nga protestat

Qeveria e Shqipërisë do të shqyrtojë sot projektbuxhetin për vitin 2027, i cili parashikohet të arrijë vlerën e 10 miliardë eurove. Pas këtij diskutimi, dokumenti do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit nga ministri i Financave, Petrit Mala, përpara se të vijojë me diskutimet në komisionet parlamentare.

Një nga elementet qendrore të këtij buxheti është përfshirja e kompensimit për bizneset që kanë pësuar dëme gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet gjatë 15 ditëve të fundit. Mekanizmi i dëmshpërblimit pritet të jetë pjesë e buxhetit 2027, si pjesë e masave të propozuara nga kryeministri Edi Rama.

Pas prezantimit në Konferencën e Kryetarëve, do të përcaktohet kalendari i punës së Kuvendit, duke i hapur rrugë shqyrtimit të detajuar të zërave buxhetorë në komisionet parlamentare.

Ndërkohë, Partia Demokratike pritet të vijojë bojkotin e pjesshëm të punimeve parlamentare. Demokratët kanë paralajmëruar se nuk do t’i bashkohen normalitetit parlamentar, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Mbetet për t’u parë nëse PD do të marrë pjesë në diskutimet për buxhetin e ri në Konferencën e Kryetarëve dhe si do të pozicionohet ndaj paketës fiskale shoqëruese të projektbuxhetit.