Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt tregon qartësisht për një zinxhir lëshimesh nga institucionet përgjegjëse. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti përshëndeti arrestimin e Albert Sylajt, të dyshuarit kryesor për vrasjen, ndërsa theksoi se kishte kërkuar raporte të detajuara nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme, me afat dorëzimi deri nesër pasdite.
Kreu i Qeverisë u shpreh se çdo vrasje është vepër e rëndë, por kjo rëndohet edhe më shumë kur “qartazi shihet se ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet që janë përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.” Ai shtoi se “një vrasje me të tilla paralajmërime që nuk merrnin përgjigje, në fakt, nuk kishte si të përfundonte ndryshe. Dhe kjo e bën edhe më të pafalshme situatën.”
Kurti specifikoi se u ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme një raport të detajuar mbi evidencat dhe lëshimet në secilën hallkë të institucioneve. Afati i vendosur për hartimin dhe dorëzimin e këtyre raporteve është nesër mbrëma, para orës 18:00, ndërsa kryeministri premtoi se ato do të ndahen me publikun.
Më tej, Kurti kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke theksuar se ajo fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, por ka anuar në krahun e të fortit. “Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër,” tha ai, duke përdorur metaforën e peshores së Zonjës së Drejtësisë që është “çaluar kah i fuqishmi dhe i pasuri.” Ai paralajmëroi se kjo sjell një sistem ku shpata e drejtësisë bie gjithnjë mbi të dobëtin, të varfrin dhe të pafuqishmin, në vend të krimit dhe kriminelëve. Sipas Kurtit, është “urgjencë kombëtare” drejtimi i drejtësisë në Republikën e Kosovës.
