Një 20-vjeçar shqiptar, me inicialet R.A., ka humbur jetën në një aksident tragjik në vendin e punës në Valtopina të Italisë. I riu, banues në Trevi, po punonte në asfaltimin e rrugës Santa Cristina kur ndodhi ngjarja fatale.

Sipas mediave italiane, dyshohet se mjeti i rëndë i asfaltimit që ai drejtonte është përmbysur, duke e zënë poshtë. Shkaqet e sakta që çuan në aksident ende nuk janë bërë të ditura.

Kolegët e tij njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës. Në vendngjarje mbërritën ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe një helikopter shpëtimi, por pavarësisht përpjekjeve, 20-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.

Pas ngjarjes, karabinierët kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar rrethanat që çuan në përmbysjen e mjetit të rëndë.

Punimet në rrugën Santa Cristina ishin porositur nga Bashkia e Valtopinës, në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, dhe i ishin besuar një kompanie të specializuar.

Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin lokal. Kryetari i Bashkisë së Valtopinës, Gabriele Coccia, ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës, duke e cilësuar humbjen si një tragjedi të rëndë.

Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik që i mori jetën të riut shqiptar në moshën vetëm 20-vjeçare.