Erjon Vishkulli i nënshtrohet me sukses operacionit në sy në Romë, ndërhyrja shpëton organin e shikimit.

Erjon Vishkulli, 28-vjeçari nga Elbasani, i cili pësoi plagë të rënda në sy gjatë protestës së 24 tetorit në Tiranë, i është nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila njoftoi se ndërhyrja e realizuar ka bërë të mundur shpëtimin e syrit të të riut.

Ministrja i uroi shërim të shpejtë Vishkullit, duke theksuar se, pavarësisht suksesit të operacionit, rrugëtimi drejt rikuperimit të plotë të shikimit do të kërkojë durim dhe besim.

Në deklaratën e saj, Spahiu theksoi: “Erjon Vishkulli e ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e cila e ka shpëtuar organin e syrit të tij.”

Ajo shtoi më tej: “Në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, shpreh mirënjohje të thellë profesor Stanislao Rizzos, i cili me profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndjeshmëri njerëzore kreu me sukses ndërhyrjen. Njëkohësisht, qeveria miratoi sot edhe mbështetjen financiare për Erjonin.”

Spahiu nënvizoi rëndësinë e humanizmit në raste të tilla: “Përtej dijes dhe aftësisë profesionale, është pikërisht kjo anë njerëzore, bashkimi i forcave drejt humanizmit, që i bën kaq të veçanta këto situata.”

Duke përfunduar mesazhin e saj, Ministrja deklaroi: “Erjonit i uroj nga zemra shërim të mbarë dhe forcë në çdo hap të mëtejshëm. Suksesi i ndërhyrjes është një lajm i mirë, ndërsa rrugëtimi drejt rikthimit të dritës së syrit do të vijojë me durim e besim. Mirënjohje të sinqertë profesor Rizzos për kontributin e tij dhe përgëzime familjes e miqve të Erjonit.”