Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare, me një detaj simbolik: në ulëset e deputetëve janë vendosur shalla rozë. Ky gjest vjen në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Gjatë seancës, deputetët do të shqyrtojnë në lexim të dytë dy projektligje kyçe: atë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026, si dhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Seanca nisi me miratimin e procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Më pas, deputetët do të kalojnë në shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr. 11/L-013, që lidhet me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.

Gjithashtu, në seancën e sotme do të diskutohet për herë të dytë edhe Projektligji nr. 11/L-006, i cili propozon krijimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në përfundim të seancës, pritet që deputetët të votojnë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e anëtarëve të saj në komisionet parlamentare.