Tahiri kritikon ashpër deputetët e Vetëvendosjes: “Po shkaktoni dëm thelbësor me deklaratat ndaj Haradinajve”
Prishtinë – Besnik Tahiri, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kritikuar ashpër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Taulant Kelmendin dhe Arjeta Fejzën, pas deklaratave të tyre të fundit drejtuar familjes Haradinaj. Tahiri theksoi se veprime të tilla po shkaktojnë “dëm thelbësor”.
Duke iu drejtuar Taulant Kelmendit, Tahiri u shpreh: “Si është e mundur të dalësh e të lexosh fjalim në foltore, të sillet e të përdridhet rreth ‘të fortëve’ të Dukagjinit? Për çfarë? Për shkak se dikush paskësh dalë në një foto, që paskësh ngrënë një drekë. Të ngrihesh e të implikosh një njeri, një deputet… kjo është e ulët. Beson se fiton një lajm, mirëpo personalisht ke humbur. Jam shumë i lumtur që Aleanca nuk më ka dëgjuar, kur kam kërkuar t’ju jepnim votën ty për balotazh; paskesha qenë gabim.”
Tahiri i është drejtuar edhe deputetes Arjeta Fejza, duke shprehur: “Nuk mundja të dëgjoja një grua, një vajzë që flet gjithë ditën për të drejtat e grave, e cila thoshte në Kuvendin e Kosovës: ‘Ekziston një kryeministër, dikush që akuzohet për dhunë në familje’. Dhe kur e pyesin kush është ai, a ka ndonjë padi, ajo thotë: ‘Vërtet kam dëgjuar në media’.”
Më tej, Tahiri ngriti pyetjen retorike: “Por a e dini çfarë dëgjohet në media për ju? A e dini çfarë shoh në media për Xhelal Sveçlën? E kam parë me atë që akuzohet për tri vrasje, dhe unë të akuzoj Xhelal Sveçlën? Të akuzoj Albin Kurtin që e kam parë me Naim Murselin – nuk e di nëse është e vërtetë, nëse gënjen apo është e pavërtetë? Dhe ato fermat e drogës t’i atribuosh se janë të lidhura me ndonjë familjar, t’i ngjitesh akuza të tilla? Ndaluni, sepse nuk bëhet kështu; po shkaktoni dëm thelbësor.”
