**Kapitali Kosovar Drejt Rajonit, Ekspertët Kërkojnë Stabilitet dhe Mbështetje në Vend**

Investimet e kompanive kosovare jashtë vendit po shënojnë rritje të vazhdueshme, duke pasqyruar tendencën e zgjerimit të bizneseve në tregjet rajonale dhe evropiane. Megjithatë, përfaqësues të ekonomisë vlerësojnë se ky trend, ndonëse pozitiv, njëkohësisht thekson sfidat e brendshme që po i shtyjnë bizneset të kërkojnë mundësi më të favorshme jashtë Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në një intervistë për Ekonomia Online, e cilësoi pozitive rritjen e investimeve nga Kosova në vendet e tjera. Ai theksoi se këto investime do të ishin më të mirëpritura nëse do të realizoheshin brenda Kosovës.

Rafuna bëri të ditur se Kosova renditet si investitori i tretë në Shqipëri.
“Mendojmë se është një lëvizje shumë e natyrshme. Bizneset kërkojnë të zgjerohen, pasi tregun e Kosovës e kanë shfrytëzuar tashmë. Është mirë që zgjerohen edhe në vendet e rajonit, edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Ne do të dëshironim që investimet të bëheshin në Kosovë, por investimet e kompanive kosovare në Shqipëri tani janë në rritje të vazhdueshme çdo vit. Nëse shohim të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, stoku prej vitit 2014 deri më tani ka arritur në 520 milionë euro. Kosova në Shqipëri renditet si investitori i tretë, ndërsa për vitin 2025 ka investuar rreth 186 milionë. Tashmë është zgjeruar edhe gama e investimeve në sektorë të ndryshëm. Nëse më herët ka prirë sidomos sektori i ndërtimit, i cili vazhdon ende përgjatë vijës bregdetare ku kompanitë kosovare po ndërtojnë në masë të madhe lagje të tëra dhe hotele, ndërkohë kemi edhe zgjerim të sektorit të rrjeteve të shitjeve me pakicë e shumicë, si dhe sektorë të tjerë”, tha ai.

Rafuna deklaroi se Qeveria duhet të ndërmarrë veprime konkrete për rritjen e investimeve brenda vendit, duke theksuar se Kosova duhet të shndërrohet në një ambient më miqësor për biznesin.
“Kompanitë kosovare janë shumë të lakmueshme dhe të gjitha bizneset e vendeve të rajonit dëshirojnë të punojnë me to. Duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër: në Kosovë, pasiguria politike ka bërë që bizneset të jenë ‘pezull’ në vendimet e tyre për investim, kjo për shkak të pritshmërisë për të parë se cila qeveri do të jetë, çfarë qasje do të ketë ajo ndaj biznesit, çfarë politikash fiskale apo masash administrative do të ndërmerren dhe sa do të jetë e përkushtuar ndaj reformave për t’i inkurajuar investimet. Ne kemi shumë nevojë për investime në Kosovë, jo vetëm nga kompanitë vendase, por edhe nga ato të huaja. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për ta bërë Kosovën një ambient më miqësor për biznesin. Nëse nuk investohet kapital publik në projekte kapitale, nuk mund të tërheqësh as investime private. Edhe vetë rënia e rritjes ekonomike prej 4.2% sa ishte vitin e kaluar, në 3.6% sipas parashikimeve të FMN-së, tregon se ka shumë hapësirë për të bërë ndryshime”, u shpreh ai.

Rafuna renditi përmirësimet e nevojshme, duke theksuar se Kosova është një nga vendet më të sigurta në Ballkan për të investuar.
“Duhet bërë shumë për të përmirësuar imazhin tonë. Deri para pak kohësh kemi qenë nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Më pas, pa vetëdije ose pa qëllim, e kemi dëmtuar imazhin tonë duke deklaruar se po sulmohemi nga Serbia apo se ushtria e tyre është në kufi me Kosovën. Veprimet e brendshme administrative të ndërmarra nuk kanë ndihmuar në promovimin e Kosovës si një vend i sigurt dhe miqësor për biznesin. Ne duhet t’i tregojmë botës se Kosova është një nga vendet më të sigurta në Ballkan për të investuar sepse: Këtu janë trupat e NATO-s, gjë që asnjë vend tjetër nuk e ka në këtë formë. E dyta, ka një popullsi shumë të re në moshë dhe shumë të edukuar, si dhe një infrastrukturë rrugore mjaft moderne dhe të re. Legjislacioni ynë është i adoptuar tërësisht nga Bashkimi Evropian. Në politikat fiskale kemi normat tatimore ndër më të ulëtat”, tha tutje Rafuna.

Ndërsa ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online, thekson se kapitali i Kosovës ka prekur edhe vende të tjera të rajonit. Ai shton se nga Kosova nuk po largohen vetëm të rinjtë, por në masë të madhe edhe bizneset.

“Mungesa e stabilitetit politik që e ka përfshirë Kosovën vitet e fundit ka ndikuar drejtpërdrejt, tërthorazi apo në mënyrë periferike, që të humbet shpresa për një të ardhme në Kosovë, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë demografik dhe profesional. Në këtë drejtim, nga Kosova, falë krizës aktuale, nuk janë duke u larguar vetëm qytetarët dhe të rinjtë, por në masë të madhe janë duke u larguar edhe bizneset. Ne po flasim tani për Shqipërinë, ku vërehet një fluks i madh i kapitalit kosovar, ku në vitin 2025 ka qenë mbi 156 milionë në mënyrë të evidentuar. Por besoj që një trend i tillë i largimit të kapitalit nga Kosova është shumë më i theksuar në Mal të Zi, si dhe në vendet perëndimore, në veçanti në Gjermani, Austri dhe Slloveni”, tha ai.

Gërxhaliu përmendi edhe mungesën e stabilitetit politik, e cila, sipas tij, është një ndër faktorët kryesorë për largimin e investitorëve.
“Para ca ditësh isha në Slloveni dhe më rastisi të takoja 24 biznesmenë nga Kosova, të cilët investojnë atje. E gjithë kjo duhet të jetë vërtet një brengë për institucionet kosovare që të bëjnë më shumë, jo vetëm për të ndalur rininë dhe qytetarët që të mbeten në Kosovë, por edhe për të ndalur largimin e investitorëve dhe investimeve vendase e të huaja nga Kosova drejt vendeve të rajonit. Në këtë drejtim, siç shihet, mungesa e stabilitetit politik është një ndër indikatorët kyç. Distanca apo një qasje distancuese ndaj biznesit është e dyta. Vendet e rajonit ofrojnë lehtësi dhe përfitime të ndryshme për bizneset, të cilat krijojnë vende të reja pune, prodhojnë dhe përmirësojnë bilancin e pagesave. Një gjë e tillë në Kosovë nuk duket se po ndodh”, u shpreh Gërxhaliu.

Gërxhaliu thekson se bizneset e mëdha në Kosovë po shihen si armiq të shtetit dhe po penalizohen.
“Bizneset e mëdha që mund të jenë promotorë të zhvillimit ekonomik, shihen si armiq të shtetit dhe tentohet penalizimi i tyre. Dhe në këtë drejtim, nuk duhet të na habisë fakti që nga Kosova nuk po ikin vetëm qytetarët, nuk po ikin vetëm biznesi dhe kapitali, por në mënyrë graduale është duke u bartur edhe prodhimi, në veçanti në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri, por edhe në vende të ndryshme. Është koha kur duhet vërtetë të bëhet më shumë në përmirësimin e ambientit të biznesit, është koha kur duhet të trajtohet biznesi si partner në zhvillim dhe jo të jetë vetëm objekt gjykimi, sepse vërtet do të isha personi më i lumtur t’ju numëroja pesë investitorë të huaj që kanë investuar në Kosovë, por ata nuk gjenden të tillë. Prandaj, ky fluks dhe kjo ikje duhet të jetë shqetësuese për politikën kosovare, sepse pa zhvillim ekonomik, pa qytetarë dhe pa kapital vendor, nuk mund të kemi perspektivë dhe një të ardhme më të ndritur, siç e meriton qytetari i Republikës së Kosovës”, thotë tutje ai.

Sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë, investimet nga Kosova kanë njohur rritje të ndjeshme. Për 9-mujorin e vitit 2025, ato arritën në 153 milionë euro, me një zgjerim prej 139% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Stoku i përgjithshëm i investimeve ka arritur rreth 550 milionë euro, duke pasqyruar një prirje të qartë drejt diversifikimit dhe zgjerimit të aktivitetit ekonomik jashtë Kosovës.