Michael Ballack ka reaguar ashpër ndaj kritikave publike të drejtuesve të Bayern Munichut për talentin 18-vjeçar Lennart Karl. Ish-kapiteni i Gjermanisë, i cili është edhe përfaqësuesi i futbollistit, vlerëson se deklaratat e Uli Hoeneßit dhe Max Eberlit po e vendosin të riun nën presion të panevojshëm, në një periudhë vendimtare të zhvillimit të tij profesional.
Talenti i Bayern Munichut, Lennart Karl, është gjendur në qendër të kritikave për paraqitjet e tij në fushë, por edhe për mënyrën se si e ekspozon jetën private në rrjetet sociale.
Presidenti i nderit i klubit, Uli Hoeneß, ka kërkuar më shumë përulësi dhe përkushtim nga futbollisti, ndërsa drejtues të tjerë të bavarezëve kanë shprehur rezerva për stilin e jetesës së tij.
Këto komente nuk janë pritur mirë nga Michael Ballack, i cili ka vendosur ta mbrojë publikisht klientin e tij.

Ballack: Ai është vetëm 18 vjeç
Duke folur për DAZN, ish-mesfushori i Chelseat dhe Bayern Munichut theksoi se Karl është ende në procesin e formimit, si futbollist dhe si individ.
“Lennart është vetëm 18 vjeç. Ku ishit ju në moshën 18-vjeçare? Ashtu siç po përpiqet ta gjejë veten në fushën e lojës, ai po bën të njëjtën gjë edhe jashtë saj”, deklaroi Ballack.
Ai mbrojti gjithashtu të drejtën e futbollistit për të qenë aktiv në rrjetet sociale.
“Rrjetet sociale janë një faktor i rëndësishëm sot, jo vetëm për brezin e ri. Secili mund ta prezantojë veten ashtu siç dëshiron. Natyrisht, jo gjithçka do të bëhet siç duhet dhe kritikat janë të pashmangshme”, shtoi ai.
Hoeneß kërkon përulësi dhe më pak vëmendje në rrjetet sociale
Polemikat u intensifikuan pas deklaratave të Uli Hoeneßit për gazetën Welt am Sonntag.
Presidenti i nderit i Bayernit paralajmëroi se do të zhvillonte një bisedë serioze me Karlin, duke theksuar se futbollisti është ende larg statusit të një superylli.
“Lojtarët e rinj kanë nevojë për përulësi dhe presion. Krahasimet me Olisen nuk po i bëjnë mirë, sepse mes tyre ekziston ende një dallim shumë i madh”, deklaroi Hoeneß.
Ai vuri gjithashtu në dyshim nëse mbështetja e vazhdueshme, pa kritika të drejtpërdrejta, është mënyra e duhur për ta ndihmuar talentin të zhvillohet.
Sipas raportimeve të Bild, disa drejtues të Bayern Munichut nuk janë të kënaqur me aktivitetin e Karlit në rrjetet sociale dhe ekspozimin e jetës së tij private.
Në qendër të vëmendjes është edhe marrëdhënia e futbollistit me influencuesen Zoe Käppele.
Mesazhi që drejtuesit dëshirojnë t’i përcjellin lojtarit është të kufizojë aktivitetin në Instagram dhe të përqendrohet më shumë te futbolli.
Si shembull përmendet bashkëlojtari Tom Bischof, i cili preferon ta mbajë jetën sentimentale larg vëmendjes publike.
Veshja rozë që shkaktoi polemika
Kjo nuk është hera e parë që Hoeneß kritikon mënyrën se si Karl paraqitet jashtë fushës.
Në fillim të majit, drejtuesi historik i Bayernit kishte komentuar veshjen rozë të futbollistit, i cili po ndiqte nga tribuna fitoren 4:3 ndaj Real Madridit, pasi ishte i lënduar.
“Nuk është e nevojshme të shfaqesh në internet me një kostum rozë”, kishte deklaruar Hoeneß për DAZN.
Ai kujtoi edhe një situatë të mëparshme me Bastian Schweinsteigerin, duke thënë se në atë kohë kishte ndërhyrë së bashku me Franz Beckenbauerin për të këshilluar futbollistin.
“Po e bëjnë publikisht shënjestër”
Për Ballackun, problemi kryesor nuk është e drejta e drejtuesve për të kritikuar, por mënyra se si këto kritika po ndikojnë në imazhin dhe zhvillimin e Karlit.
“Është legjitime që Uli Hoeneß ta kritikojë mënyrën se si Lennart paraqitet në publik. Por është gjithashtu e qartë se, duke vepruar kështu, ai po e bën Lennartin publikisht shënjestër”, tha Ballack.
Ish-futbollisti pranoi se Karl duhet të përgjigjet edhe përmes paraqitjeve në fushë.
“Lenny duhet të tregojë në fushë se mund ta kapërcejë këtë periudhë të vështirë”, theksoi ai.
Talenti 18-vjeçar ka regjistruar një gol dhe dy asistime në 11 ndeshje, ndërsa forma e tij është bërë pjesë e diskutimeve publike.
Ballack kundërshton edhe Max Eberlin
Kritikat e Ballackut nuk u kufizuan vetëm te Hoeneß.
Ai shprehu pakënaqësi edhe me deklaratat e drejtorit sportiv Max Eberl, i cili kishte folur për një rënie të formës së Karlit dhe disa gabime të tij.
Sipas Ballackut, koha e zgjedhur për këto komente ishte e papërshtatshme, pasi futbollisti kishte filluar të tregonte përmirësim.
“Tani që forma e Lennartit është dukshëm në ngritje, është e vështirë të kuptohet pse Max Eberl flet për një krizë të tij në fushë, duke e shoqëruar këtë me komente për gabimet. Edhe përmbajtja e këtyre deklaratave është, të paktën, e diskutueshme”, u shpreh ai.
Megjithatë, Ballack ndodhet në një pozitë të veçantë në këtë debat. Përveç rolit si analist televiziv i DAZN, ai përfaqëson Karlin përmes agjencisë së tij, Lucky 13, çka e bën edhe palë të interesuar në mbrojtjen e futbollistit.

Ballack beson te karakteri dhe potenciali i Karlit
Pavarësisht polemikave, ish-kapiteni i Gjermanisë mbetet i bindur në potencialin e talentit të Bayernit.
Ai e cilësoi zhvillimin e Karlit gjatë vitit të fundit si të jashtëzakonshëm, duke theksuar se të afirmohesh në një klub si Bayern Munichu në moshën 17-vjeçare kërkon jo vetëm aftësi të mëdha futbollistike, por edhe karakter të fortë.
“Lennart Karl ka karakter. Është e pritshme që gjatë karrierës së tij të shkaktojë edhe ndonjë pakënaqësi”, deklaroi Ballack.
Në përfundim, ai i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë futbollistit.
“Shpresoj që Lennarti të mos lejojë ta ndryshojnë plotësisht përpara se të mbushë 20 vjeç. Ai e ka mbështetjen time të plotë.”
Debati rreth Lennart Karlit ka nxjerrë në pah dallimet në qasjen ndaj zhvillimit të futbollistëve të rinj. Ndërsa drejtuesit e Bayern Munichut kërkojnë më shumë disiplinë dhe përqendrim, Ballack paralajmëron se kritikat publike mund ta rëndojnë presionin mbi një talent që ende po ndërton identitetin e tij profesional. /GazetaExpress/
