Cristian Chivu, Nicolò Barella dhe Alessandro Bastoni përcollën të njëjtin mesazh pas humbjes 3-1 të Interit ndaj Milanit në derbin e qytetit, duke ngritur edhe më shumë shqetësime rreth mentalitetit të skuadrës.

Interi e pësoi humbjen e parë në Serie A këtë sezon të shtunën, duke u mposhtur 3-1 nga rivali lokal, Milani.

“Zikaltërit” nuk kanë fituar një derbi të Milanos që nga prilli i vitit 2024, kur fitorja ndaj rivalit të qytetit u mundësoi ta siguronin matematikisht titullin e tyre të 20-të të kampionit të Italisë.

Gazetat italiane e kanë kritikuar ashpër trajnerin e Interit, Chivu, për vendimet e tij taktike, por një tjetër arsye për shqetësim te “Nerazzurrët” janë deklaratat pas ndeshjes të trajnerit dhe disa prej lojtarëve më me përvojë të skuadrës, Barella dhe Bastoni.

“E kishim qasjen e gabuar, por më pas jo gjithçka ishte e kotë, sepse shënuam për 2-1 dhe patëm mundësinë të barazonim në 2-2, nëse nuk do të ishte ajo pritje e Maignan. Pastaj dhuruam edhe një gol tjetër pak para përfundimit të pjesës së parë”, deklaroi Chivu pas ndeshjes.

“Është zhgënjyese. Prisnim të bënim më shumë sesa bëmë. Duhet ta përmirësojmë qasjen dhe vendosmërinë tonë, të cilat në disa raste na mungojnë”, shtoi ai.

Barella dhe Bastoni përsëritën mesazhin e trajnerit.

“Që nga fillimi i sezonit nuk kemi pasur qëndrimin e duhur dhe kjo është diçka negative”, tha Barella, sipas “Gazzetta dello Sport”.

“Lodhja grumbullohet dhe në fund e paguan çmimin. Duhet të përballemi me veten; kemi një rrugë të gjatë përpara”, tha ai tutje.

Ndërkohë, Bastoni shtoi: “E kishim qasjen e gabuar gjatë gjithë ndeshjes. E vetmja gjë që dua të them është se Interi duhet të dëshmojë çdo ditë se e meriton të jetë aty ku është. Kjo është diçka e përgjithshme dhe këtu i përfshij të gjithë. Nuk më pëlqeu aspak qëndrimi ynë; ishte i papërshtatshëm”.

Interi e fitoi dyfishin e trofeve në Itali në sezonin 2025/26, duke triumfuar në Serie A dhe në Kupën e Italisë, por në edicionin aktual është dukur shumë më i cenueshëm, pavarësisht se deri më tani ka pësuar vetëm një humbje në kampionat.

Skuadra ka pranuar 13 gola në dhjetë ndeshje, më shumë se çdo ekip tjetër në mesin e dhjetë skuadrave të para të tabelës, me përjashtim të Frosinones, që ka pranuar 14 gola.

Megjithatë, Juventusi dhe Napoli kanë zhvilluar nga një ndeshje më pak se “Nerazzurrët”.

Interi ka zhvilluar 13 ndeshje në të gjitha garat këtë sezon dhe në tetë prej tyre e ka pësuar golin e parë.

“Gazzetta dello Sport” shkroi se Interi po duket si një skuadër që “është tepër e përqendruar te vetja, duke u kapur pas besimit në aftësitë e saj, një besim që është i domosdoshëm, por ndoshta i tepruar, e bindur se mund të rikthehet nga disavantazhi në çdo ndeshje.

“Deri në derbi, kjo qasje kishte funksionuar. Por përballja me Milanin i ka nxjerrë edhe një herë në pah mangësitë e Interit, veçanërisht në aspektin mental, nën drejtimin e Chivut”./GazetaExpress/