Trajneri i Llapit iu përgjigjet analistëve sportivë me ironi: “Mos e zgjatni shumë, nesër duhet të zgjoheni herët!”
Tahir Batatina, trajneri i skuadrës së Llapit, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, pas valës së kritikave të shumta që iu drejtuan nga analistët sportivë në emisionet televizive, pas paraqitjes së fundit të ekipit.
Skuadra e tij po përballet me një sezon sfidues në Superligën e Kosovës, ku pas dymbëdhjetë javësh kampionat ka grumbulluar vetëm pesë pikë dhe aktualisht pozicionohet në vendin e parafundit në tabelë.
Megjithatë, kritikat e adresuar nuk kanë mbetur pa një kundërpërgjigje nga trajneri llapjan, i cili ka zgjedhur një gjuhë plot ironi për t’iu përgjigjur analistëve dhe moderatorëve sportivë.
Ai e nisi postimin me fjalët: “Një përshëndetje të veçantë për disa, jo për të gjithë analistët sportivë dhe moderatorët!”, për të vazhduar më pas me një mesazh qartësisht provokues:
“Mos e zgjatni shumë nëpër emisione, sepse nesër në mëngjes duhet të zgjoheni herët. Fëmijët ju kërkojnë nga tri euro për të shkuar në shkollë, duhet t’ua siguroni ato, pastaj ju pret edhe pazari në vetëshërbime, sepse familja ju kërkon llogari”.
Trajneri Batatina nuk u ndal vetëm me kaq, duke vënë në pikëpyetje edhe njohuritë profesionale të disa prej moderatorëve.
“Kur ta kuptojnë se si zhvillohet një emision i mirëfilltë sportiv dhe si bëhet analiza e futbollit, ndoshta do ta kuptojnë edhe vendimin tim për t’u tërhequr nga profesioni i trajnerit”, deklaroi ai.
Në vijim të reagimit të tij, trajneri foli edhe për të ardhmen e tij te Llapi, duke dhënë një zotim të qartë për qëndrimin e tij në klub.
“Unë do të mbetem te Llapi edhe 20 vite nga sot! Mos e harroni këtë datë, sepse është historike”, shkroi ai.
Në përfundim, ai e mbylli postimin me një mesazh thelbësor për klubin nga Podujeva, duke e cilësuar Llapin shumë më tepër sesa thjesht një skuadër futbolli.
“Llapi nuk është vetëm një klub, është histori, krenari dhe përgjegjësi! Forca Llapi!”, përfundoi trajneri.
