Kryetari i Gjykatës Administrative ligjëroi para studentëve të Fakultetit Juridik në Pejë

Kreshnik Kaçiu, Kryetari i Gjykatës Administrative të Kosovës, zhvilloi një ligjëratë informuese para studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë.

Gjatë ligjëratës, studentët u njohën me organizimin institucional të gjykatës, fushëveprimin dhe kompetencat e saj në trajtimin e çështjeve administrative. Një theks i veçantë iu dha rolit të gjykatës në mbrojtjen gjyqësore të të drejtave dhe interesave të qytetarëve.

Në bashkëbisedim me studentët, u theksua rëndësia e drejtësisë administrative për garantimin e mbrojtjes juridike dhe ushtrimin e kontrollit gjyqësor në fushën administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Petrit Nimani, i cili theksoi se kjo ligjëratë do t’u shërbejë studentëve si mundësi për të thelluar njohuritë teorike mbi drejtësinë administrative.

Gjykata Administrative synon të vazhdojë dhe thellojë bashkëpunimin me Fakultetin Juridik të Universitetit të Pejës, si dhe me institucione të tjera akademike.

Në kuadër të përkushtimit për transparencë, informim publik dhe avancim të edukimit juridik për studentët e rinj, Gjykata Administrative do të vazhdojë me aktivitete të tilla. Ligjërata të ngjashme janë mbajtur tashmë edhe me studentët e fakulteteve juridike të Universiteteve të Prishtinës dhe Mitrovicës.