Miliona amerikanë po votojnë sot në zgjedhjet e mesmandatit, ku do të përcaktohet përbërja e re e Kongresit dhe drejtimi politik i vendit për 2 vitet e ardhshme.
Sipas Associated Press (AP), votuesit do të vendosin për mijëra gara në të gjithë Shtetet e Bashkuara, përfshirë vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, Senat dhe postet e guvernatorëve.
Qendrat e para të votimit do të mbyllen në orën 18:00 sipas kohës së bregdetit lindor amerikan, përkatësisht në mesnatë sipas orës evropiane.
Rezultatet e para pritet të vijnë nga Indiana dhe Kentucky, ndërsa vëmendja do të përqendrohet më pas te shtetet ku zhvillohen gara të ngushta ndërmjet republikanëve dhe demokratëve, raporton Euronewsalbania.
Në orën 01:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, mbyllen qendrat e votimit në Georgia, South Carolina dhe Virginia, ndërsa 30 minuta më vonë përfundon votimi edhe në North Carolina, Ohio dhe West Virginia.
Këto shtete zakonisht i numërojnë votat relativisht shpejt. Në zgjedhjet e vitit 2024, Georgia kishte përfunduar numërimin e 90% të votave deri në orën 22:21 sipas kohës lokale të bregdetit lindor amerikan.
Në orën 02:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, mbyllen plotësisht ose pjesërisht qendrat e votimit në pothuajse gjysmën e shteteve amerikane, përfshirë Florida, Maine, New Hampshire dhe Pennsylvania.
Një tjetër moment i rëndësishëm pritet në orën 03:00, kur përfundon votimi në 15 shtete, përfshirë Arizona, Michigan, New York, Texas dhe Wisconsin.
Në këto shtete zhvillohen gara të rëndësishme për Senatin, Dhomën e Përfaqësuesve dhe postet e guvernatorëve.
Sipas AP-së, ritmi i numërimit ndryshon ndjeshëm nga një shtet në tjetrin. Florida njihet për publikimin e shpejtë të rezultateve, ndërsa në Michigan, Pennsylvania dhe Arizona procesi mund të zgjasë më shumë.
Në Arizona, megjithëse votimi përfundon në orën 03:00 sipas kohës së Kosovës, rezultatet e para nuk publikohen para orës 04:00.
Në Kaliforni rezultatet mund të vonohen disa ditë
Në orën 05:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, mbyllen qendrat e votimit në California dhe Washington.
Në këto 2 shtete, ku votimi zhvillohet kryesisht përmes postës, numërimi mund të vazhdojë për disa ditë pas zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e vitit 2024, rreth 38% e votave në California dhe 33% në Washington nuk ishin numëruar gjatë natës zgjedhore.
Sipas AP-së, në California do të pranohen fletëvotimet e dërguara me postë deri më 10 nëntor, nëse janë vulosur jo më vonë se dita e zgjedhjeve. Në Washington, afati për pranimin e tyre është 23 nëntori.
Qendrat e fundit të votimit në SHBA do të mbyllen në orën 07:00 të së mërkurës, sipas kohës së Kosovës, në ishujt Aleutian të Alaskës.
Megjithatë, shpallja e fituesve në disa gara mund të kërkojë më shumë kohë, veçanërisht në shtetet ku diferenca ndërmjet kandidatëve është e vogël.
Zgjedhjet e mesmandatit konsiderohen një provë e rëndësishme politike për presidentin Donald Trump, pasi rezultati do të përcaktojë raportin e forcave ndërmjet republikanëve dhe demokratëve në Kongres gjatë pjesës së mbetur të mandatit të tij.
