Dhjetëra njerëz humbën jetën kur Rusia hodhi të paktën nëntë bomba mbi një ndërtesë shkollore në Ukrainën juglindore, ku ata ishin strehuar, deklaroi të martën presidenti Volodymyr Zelensky, duke e përshkruar ngjarjen si “një nga sulmet më vdekjeprurëse të kësaj lufte”.
Të paktën 33 persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 50 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pas sulmit ndaj ndërtesës në Komyshuvakha, në rajonin e Zaporizhzhias. Sipas guvernatorit lokal, Mykhailo Semikin, ndërtesa shërbente si strehimore dhe qendër për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Sipas CNN, strehimorja ishte ndërtuar vitin e kaluar për të mundësuar vazhdimin e mësimit gjatë kohës së luftës; megjithatë, shumë civilë janë larguar ndërkohë që luftimet janë afruar pranë fshatit, ndaj objekti nuk përdoret më si shkollë. Në vend të kësaj, autoritetet vendore e përdorin atë si qendër administrative dhe pikë për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Zelensky bëri të ditur se sulmi ndodhi të hënën, pikërisht në momentin kur po shpërndaheshin ndihma humanitare.
