QKUK: Onkologjia ka furnizim të rregullt me Keytruda, por jo të gjithë pacientët plotësojnë kriteret
Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se ka furnizim të rregullt me barin imunoterapeutik Keytruda (Pembrolizumab).
Ky medikament u ofrohet pacientëve bazuar në indikacionet e përcaktuara nga Lista e Barnave Esenciale (LBE). Sipas QKUK-së, LBE mbulon terapinë për pacientët me kancer të mushkërive me shprehje të PD-L1 mbi 10%, në kombinim me kimioterapi, si dhe për ata me melanomë malinje të stadit III.
Në lidhje me një rast specifik pacienti, i cili ka marrë vëmendje mediatike, QKUK ka dhënë sqarime shtesë. Sipas klinikës, pacientja në fjalë fillimisht është trajtuar me rrezatim dhe kimioterapi për kancer të qafës së mitrës. Pas avancimit të sëmundjes dhe shfaqjes së metastazave, ajo ka vazhduar me kimioterapi të mëtejshme. Pasi edhe kjo linjë trajtimi nuk dha rezultate, pas vlerësimit mjekësor dhe testimit për PD-L1, pacientja filloi trajtimin me kimioterapi dhe imunoterapi (Pembrolizumab) si një mundësi tjetër.
Për rastin konkret të kësaj pacienteje, ky indikacion për Pembrolizumab nuk mbulohet nga Lista e Barnave Esenciale. Për pasojë, pacientes i janë shpjeguar opsionet dhe i është bërë e ditur se duhej ta siguronte vetë medikamentin. Ajo ka pranuar të fillojë trajtimin dhe i ka siguroi vetë barnat për dy ciklet e para. Mirëpo, edhe pas këtyre dy cikleve, sëmundja ka vazhduar të avancojë, duke çuar në vendosjen e saj në trajtim paliativ me rrezatim.
QKUK thekson se mungesa e mbulimit të një indikacioni të caktuar nga Lista e Barnave Esenciale nuk nënkupton mungesë fizike të barit në Klinikë. Përkundrazi, gjatë gjithë kësaj periudhe, Klinika e Onkologjisë ka pasur furnizim të pandërprerë me Pembrolizumab dhe të gjithë pacientët që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në LBE e kanë marrë terapinë pa asnjë problem me disponueshmërinë e këtij medikamenti.
