Avioni u kthye nga rruga për në Moskë, Vulin tenton të arsyetohet: “Gjithçka është gënjeshtër”

Aleksandar Vulin, kryetari i Lëvizjes Socialiste në Serbi, u përfshi të mërkurën mbrëma në një incident të pazakontë, kur fluturimi i tij drejt Moskës u detyrua të kthehej në Beograd, ndërsa ai tashmë ndodhej në bordin e avionit. Kthimi i avionit ndodhi pasi Vulin dyshohet se nuk iu nënshtrua kontrolleve të detyrueshme të sigurisë para nisjes.

Sipas raportimeve të portalit Nova.rs, Vulin dyshohet se ishte futur në avion pa iu nënshtruar paraprakisht kontrollit të sigurisë. Thuhet se dikush e kishte ndihmuar të hipte në avion, pavarësisht se procedura e kontrollit nuk ishte përfunduar.

Urdhrin për kthimin e avionit JU134 të Air Serbia, i cili ishte nisur nga Beogradi në orën 18:48 dhe kishte arritur mbi hapësirën ajrore të Lituanisë jugore, e dha drejtori i sigurisë korporative të Aeroportit të Beogradit, Milan Kuç. Ky vendim erdhi pasi, gjatë shqyrtimit të kamerave të sigurisë, ai kishte konstatuar se procedurat nuk ishin respektuar.

Aleksandar Vulin, i cili pretendon se po udhëtonte për një vizitë zyrtare në Rusi me qëllim angazhimin për zgjatjen e marrëveshjes së furnizimit me gaz rus, reagoi përmes televizionit proqeveritar Informer. Ai mohoi kategorikisht se kthimi i avionit ishte për shkak të çështjeve të sigurisë, duke e cilësuar rastin si “gënjeshtër, keqpërdorim dhe një përpjekje për përballje politike ndaj tij”.

Pas kthimit në Beograd, Nova.rs raportoi se Vulin ishte nxjerrë nga aeroplani dhe iu ishte kontrolluar bagazhi. Në paraqitjen e tij televizive, Vulin pretendoi se nuk kishte asgjë të paligjshme në bagazh dhe se të gjitha kontrollet kishin përfunduar me sukses.

Sipas mediumit Vreme, në aeroportin e Beogradit Vulinin e priste një prokuror, ndërsa pretendohet se as ai, as bagazhi i tij nuk kishin kaluar kontrollin e sigurisë para nisjes. Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Raportime jozyrtare sugjerojnë se në avion ndodheshin edhe drejtori i Srbijagasit, Dušan Bajatović, dhe kryetari i Partisë Popullore Serbe, Nenad Popoviq.

Duke rrëfyer ngjarjen, Vulin tha se po flinte gjatë fluturimit kur u zgjua dhe kuptoi se avioni ishte kthyer në Beograd. “U zgjuam dhe më thanë: Jeni në Beograd. Si në Beograd? Kur dolëm jashtë, pashë policinë dhe njësi speciale,” rrëfeu ai.

Ai theksoi se kishte kaluar kontrolle shtesë, fillimisht bashkë me udhëtarët e tjerë dhe më pas veçmas, duke shtuar: “Jam plotësisht i qetë, e di që jam në rregull.” Vulin shprehu shpresën se do të mund të vazhdonte udhëtimin drejt Moskës.

Deri tani, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse në avion u gjetën para.