Seanca gjyqësore kundër Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte, është shtyrë për një orë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për shkak të mungesës së dy gjyqtarëve.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, njoftoi se shtyrja u bë për shkak të angazhimit të dy anëtarëve të tjerë të trupit gjykues në një seancë tjetër. Beqiri bëri të ditur gjithashtu se gjatë seancës së sotme pritet të dëshmojnë tre dëshmitarë, përfshirë Zejnie Morinën.
Ramadan Morina akuzohet nga Prokuroria Speciale për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare, të kryera gjatë viteve 1998-1999 në fshatin Burim të Malishevës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 17 dhjetor 2023, ai dyshohet se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, keqtrajtime dhe plaçkitje të civilëve shqiptarë.
Në pikën e parë të aktakuzës, Morina ngarkohet për vrasjen e 34 civilëve shqiptarë më 31 mars 1999, në vendin e quajtur “Vrella e Mihillit”. Prokuroria thekson se, nga rreth një mijë civilë të strehuar në këtë zonë, forcat serbe kishin ndarë 35 burra nga gratë dhe fëmijët, duke vrarë 34 prej tyre. Nuredin Morina ishte i mbijetuari i vetëm.
I akuzuari ndodhet në paraburgim, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij po zhvillohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
