Robert Lewandowski, ende i zhgënjyer nga anulimi i “Topit të Artë” 2020
Sulmuesi polak, Robert Lewandowski, vazhdon të jetë i zhgënjyer nga anulimi i edicionit të vitit 2020 të çmimit “Topi i Artë”, vendim i marrë për shkak të pandemisë COVID-19.
Këtë pakënaqësi e ka konfirmuar edhe ish-drejtori i “France Football”, Pascal Ferré, i cili zbuloi se e kishte telefonuar personalisht sulmuesin për t’i komunikuar vendimin. Sipas Ferré, Lewandowski nuk e kishte pranuar lehtë këtë lajm.
Më tej, Ferré tregoi se në takimet e mëvonshme, sulmuesi polak i drejtohej shpesh me shaka: “Ja ku është njeriu që nuk deshi kurrë të ma jepte një Top të Artë”.
Viti 2020 ishte kulmor për Lewandowskin, pasi me Bayern Munich fitoi tripletën historike (Champions League, Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë), duke shënuar plot 55 gola në 47 ndeshje. Edhe pse një vit më vonë u rendit i dyti në garën për këtë çmim, pas Lionel Messit, zhgënjimi për çmimin e humbur të vitit 2020 vazhdon të jetë i madh.
