Talenti kosovar Leon Avdullahu, në shënjestrën e Atletiko Madridit
Mesfushori kosovar, Leon Avdullahu, pritet të jetë ndër emrat më të kërkuar në afatin kalimtar të ardhshëm veror.
Sipas raportimeve të mediumit gjerman Fussballtransfers, të cilat i referohet edhe Indeksonline, skuadra e Atletiko Madridit e ka përfshirë futbollistin kosovar në listën e objektivave për sezonin e ardhshëm.
Trajneri Diego Simeone është në kërkim të një mesfushori mbrojtës, me cilësi të larta taktike dhe aftësi të mira në fazën mbrojtëse, një profil që i përshtatet futbollistit 22-vjeçar të Hoffenheimit.
Interesimi i klubit madrilen për Avdullahun nuk është i ri; Atletiko kishte tentuar ta transferonte atë edhe gjatë verës së kaluar, por Hoffenheimi kishte refuzuar kategorikisht shitjen.
Hoffenheimi e kishte blerë Avdullahun nga Baseli për 8 milionë euro, ndërsa tani e vlerëson mesfushorin në rreth 50 milionë euro.
Avdullahu ka regjistruar 48 paraqitje zyrtare me Hoffenheimin, duke shënuar një gol dhe duke dhënë një asist. Kontrata e tij me klubin gjerman është e vlefshme deri në vitin 2031.
