**Trump: Kaluan dy shkatërrues amerikanë në Ngushticën e Hormuzit pa incidente, CENTCOM zbulon misionin e pastrimit të minave**

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se dy anije luftarake amerikane, të tipit shkatërrues, kaluan dje përmes Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se “askush nuk ndërhyri”. Kjo ndodhi në mes të një armëpushimi të ndjeshëm me Iranin.

Gjatë një interviste për emisionin “Sunday Morning Futures With Maria Bartiromo” në Fox News, Trump shprehu: “Dje ndoshta patë se dërguam dy shkatërrues shumë të sofistikuar, të rinj, drejt e në mes të ngushticës, dhe askush nuk na bëri asgjë.”

Ai theksoi superioritetin teknologjik amerikan, duke shtuar: “Ajo që ne bëjmë është se e ndjekim armën mbrapsht, kështu që ajo kthehet mbrapa dhe godet njerëzit në anën tjetër, fjalë për fjalë brenda tre minutash i neutralizon. Teknologjia është e pabesueshme.”

Komentet e Trump vijnë pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi të shtunën se dy shkatërrues të Marinës me raketa të drejtuara, USS Frank E. Peterson dhe USS Michael Murphy, kishin filluar operacionet e pastrimit të minave në Ngushticën e Hormuzit.

Sipas CENTCOM, anijet “kaluan përmes Ngushticës së Hormuzit dhe operuan në Gjirin Arabik si pjesë e një misioni më të gjerë për të siguruar që ngushtica të jetë plotësisht e pastruar nga minat detare të vendosura më parë nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.” Ky njoftim u bë përmes një postimi në platformën X.

Më herët të shtunën, Presidenti Trump kishte shkruar në platformën Truth Social se SHBA-ja po “fillonte procesin e pastrimit të Ngushticës së Hormuzit si një favor për vendet në mbarë botën.”