Policia e Kosovës ka publikuar statistikat e aksidenteve dhe kundërvajtjeve në trafik për muajin tetor 2026 në rajonin e Ferizajt, ku përfshihen komunat e Ferizajt, Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit.
Sipas të dhënave të Policisë Rajonale, gjatë këtij muaji janë regjistruar gjithsej 131 aksidente trafiku. Prej tyre, 74 aksidente kanë përfunduar me lëndime trupore, ku janë lënduar 106 persona, ndërsa 57 aksidente kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Në krahasim me tetorin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 141 aksidente, numri i përgjithshëm i tyre ka shënuar rënie prej 7.1 për qind.
Ndërkaq, gjatë tetorit të këtij viti, policia ka shqiptuar 6 mijë e 895 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të komunikacionit. Një vit më parë, në të njëjtën periudhë, ishin shqiptuar 6 mijë e 847 gjoba, që paraqet rritje prej 0.7 për qind.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Po ashtu, ka apeluar te shoferët që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë, ndërsa qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo kundërvajtje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose numrit 192.
