Zemaj sfidon Qeverinë: Kërkon publikimin e emrave të 17 mjekëve nga 171 të deklaruar nga Kurti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka kërkuar publikimin e vetëm 17 emrave nga 171 specialistë mjekësorë, për të cilët kryeministri Albin Kurti deklaroi se janë kthyer në Kosovë.

Zemaj theksoi se sfidon çdo përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë apo Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) që t’i ofrojë këta emra.

“E sfidoj çdo përfaqësues të Qeverisë, Ministrisë së Shëndetësisë apo SHSKUK-së që të na ofrojë vetëm 17 emra të mjekëve specialistë, jo 171, të cilët janë kthyer nga mërgata gjatë vitit 2025 dhe tashmë janë të punësuar me kontrata të rregullta në sistemin publik shëndetësor të Kosovës”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Kjo kërkesë vjen pasi kryeministri Kurti foli dje për “kthimin e trurit” në Kosovë.

“Vetëm gjatë vitit 2025, 171 mjekë u kthyen për të jetuar dhe punuar në Kosovë”, pretendoi Kurti.