PDK përballet me udhëkryq: Analistët paralajmërojnë për ndikimin e grupeve të interesit në garën për kryetar
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ndodhet në një fazë të rëndësishme riorganizimi të brendshëm, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës nga drejtimi dhe hapjes së garës për zgjedhjen e kryetarit të ri. Përveç emrave të kandidatëve potencialë, analistët politikë theksojnë se vëmendje duhet t’i kushtohet edhe modelit të udhëheqjes që do të ndjekë partia në të ardhmen.
Analisti politik, Blerim Canaj, vlerëson se PDK-ja duhet të shmangë përsëritjen e “përvojës negative” të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke paralajmëruar për ndikimin e grupeve të interesit brenda partisë. Ai thekson se ende nuk është e qartë nëse PDK-ja synon të ndërtojë një parti të mirëfilltë politike apo një subjekt ku vendimmarrja ndikohet nga interesat e grupeve të caktuara.
Canaj shprehet për KosovaPress se drejtimi i ardhshëm i partisë do të varet shumë nga lideri që do të zgjidhet, derisa shton se Kosovës i nevojitet një udhëheqës që partinë e sheh si subjekt politik dhe që është në gjendje të ofrojë kandidatin më të mirë për kryeministër. Ai shpreh gjithashtu dyshimin se disa individë brenda PDK-së nuk dëshirojnë një parti të fuqishme, e cila do të fitonte zgjedhjet dhe do t’i bënte konkurrencë Albin Kurtit. Në garën për drejtimin e PDK-së, Canaj do të dëshironte të shihte figura si Enver Hoxhaj dhe Hajredin Kuçi.
Edhe analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku, vlerëson se e ardhmja e PDK-së do të përcaktohet nga modeli organizativ dhe politik që do të zgjedhë partia. Ai përmend Uran Ismailin, Përparim Grudën dhe Enver Hoxhajn si figura kyçe në diskutimet për garën e ardhshme.
Sadiku e lidh Uran Ismailin me “grupin e biznesit” brenda PDK-së, për të cilin pretendon se politikën e sheh më shumë përmes interesave financiare sesa ideologjisë politike. Ndërkaq, Përparim Grudën e cilëson si votues autentik të PDK-së, me prejardhje nga Drenica. Sa i përket Enver Hoxhajt, Sadiku e përshkruan si profesor universitar dhe figurë me përvojë të gjatë në PDK, megjithëse mendon se kandidatura e tij synon më tepër pozicionin e nënkryetarit të ardhshëm.
Megjithatë, Sadiku vlerëson se gjasat më të mëdha për të marrë drejtimin e PDK-së i kanë Uran Ismaili dhe Përparim Gruda. Ai thekson se zgjedhja e kryetarit do të tregojë nëse PDK-ja do të funksionojë si një subjekt i ndikuar nga grupet e interesit dhe “strukturat e dala nga lufta”, apo si një parti e unifikuar, me program, statut dhe një lider të fuqishëm.
PDK-ja ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake pas dorëheqjes së ish-kryetarit, Bedri Hamza. Aktualisht, partinë po e drejton si ushtruese e detyrës së kryetares Vlora Çitaku.
