Jemima Goldsmith, ish-partnerja e aktorit dhe komedianit Russell Brand, ka publikuar akuza të rënda pas 12 vjet heshtjeje, duke pretenduar se gjatë lidhjes së tyre ka përjetuar dhunë, kontroll të detyruar dhe abuzim.
Goldsmith theksoi se kishte ruajtur heshtjen për 12 vjet, pasi kishte frikë se vëmendja mediatike do të ndikonte negativisht te fëmijët e saj, të cilët në atë kohë ishin adoleshentë. Ajo shtoi se në vitin 2014 ishte detyruar të thërriste policinë për të larguar Brandin nga shtëpia e saj.
Këto akuza Goldsmith i bëri përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), vetëm disa orë pasi Brand u dënua me 10 vjet e gjashtë muaj burgim për përdhunim dhe tri sulme seksuale.
Ajo theksoi se gjithmonë ka mbështetur gratë që e kanë denoncuar aktorin. Madje, zbuloi se prej vitesh kishte ndihmuar gazetaret në zbulimin e rasteve të abuzimit nga ana e Brandit. Goldsmith shprehu gatishmërinë e saj për të dëshmuar në gjykatë lidhur me sjelljen e tij të dhunshme, nëse mediat që publikuan dëshmitë e viktimave do të përballeshin me padi.
Ish-çifti ishte në lidhje gjatë viteve 2013 dhe 2014. Goldsmith deklaroi se që nga incidenti i vitit 2014, ajo nuk e kishte parë dhe as dëgjuar më Brandin, duke theksuar se kjo përvojë kishte lënë pasoja të qëndrueshme në jetën e saj.
Ndërkohë, Russell Brand, 51 vjeç, u dënua me një total prej 10 vjet e gjashtë muaj burgim. Specifikisht, ai mori nëntë vjet burg për përdhunimin e një 21-vjeçareje dhe 18 muaj për tri sulme seksuale. Ai u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim dhe një tentativë sulmi të pahijshëm.
