**Kosova: Ulje e Numrit të Bizneseve, por Rritje e Pagave dhe Qarkullimit Ekonomik**

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve (ASN) për vitin 2025, të cilat tregojnë një rënie të numrit të ndërmarrjeve aktive, por një rritje të pagave mesatare dhe qarkullimit ekonomik.

Sipas raportit, në sektorët ekonomikë të përfshirë në hulumtim kanë operuar gjithsej 48,506 ndërmarrje aktive, duke shënuar një rënie prej 4% krahasuar me vitin 2024. Megjithë këtë zvogëlim të numrit të bizneseve, qarkullimi i tyre është rritur për 6.1%, ndërsa shpenzimet kanë shënuar ngritje prej 6.6%.

Paga mesatare bruto në vitin 2025 ka arritur në 658 euro, një rritje e ndjeshme nga 354 euro sa ishte në vitin 2015. Vetëm në krahasim me vitin 2024, paga mesatare në sektorët e anketuar është rritur për 11.1%. Pagat më të larta janë regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, ndërsa më të ulëtat në akomodim dhe shërbime ushqimore.

Sa i përket punësimit, gjatë vitit 2025 në ndërmarrjet e përfshira në studim kanë qenë të angazhuar 294,254 persona, që paraqet një rritje prej 0.4% krahasuar me vitin paraprak. Megjithatë, sektori i ndërtimtarisë ka regjistruar një rënie prej 11.1% të numrit të të punësuarve.

Tregtia vazhdon të dominojë ekonominë e Kosovës, duke përbërë 33.7% të ndërmarrjeve aktive dhe 32.4% të të punësuarve në sektorët e anketuar. Ky sektor realizon gjithashtu rreth 51.7% të qarkullimit të përgjithshëm të ndërmarrjeve.

Pas tregtisë, për nga numri i bizneseve, renditen aktivitetet e shërbimeve të tjera (22.1%), prodhimi (14.6%), ndërtimtaria (11.2%) dhe akomodimi e shërbimet ushqimore (10.3%). Rritja më e madhe e numrit të ndërmarrjeve, me 30.1%, është regjistruar në sektorin e furnizimit me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar. Ndërkaq, qarkullimi më i madh, me 13.9%, është rritur në aktivitetet e shërbimeve të tjera.

ASK-ja thekson se kjo anketë nuk përfshin të gjithë sektorët e ekonomisë. Jashtë këtij hulumtimi kanë mbetur fusha si bujqësia, pylltaria, peshkimi, financat, arsimi, shëndetësia, administrata publike dhe aktivitetet e ekonomive familjare.