**Rama nga Parisi: Kosova, shtet i pavarur dhe realitet i parevershëm për Serbinë**
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Paqes në Paris, zhvilluar në ‘Musée de l’Homme’, theksoi rëndësinë e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur, duke folur edhe për raportin BE-Serbi.
Rama ritheksoi pozicionin e Shqipërisë si një vend që promovon paqen dhe zgjidhjen e konflikteve, duke shtuar se pavarësia e Kosovës është një realitet i konsoliduar dhe i njohur ndërkombëtarisht.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh: “Shqipëria ka qenë gjithmonë vend paqedashës. Jemi aktivë në nxitjen e paqes dhe ka disa gjëra në jetë për të cilat mund të jesh sado i lirë, por nuk mund të zgjedhësh. Nuk i zgjedh dot as kushërinjtë, as fqinjët. Fqinjët janë aty ku janë, por nuk do të jenë gjëkundi tjetër.”
Duke iu referuar marrëdhënieve mes BE-së dhe Serbisë, Rama shtoi: “Në raport me BE-në dhe Serbinë, gjërat duket se nuk janë përmirësuar, ndërkohë që Kosova është e pavarur si shtet, njohur ndërkombëtarisht. Nuk ka më kthim mbrapa dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kthyer në një aspiratë të re serbe. Sa më shpejt që serbët të kuptojnë se duhet ta shohin Kosovën si një fakt të jetës, aq më mirë do të jetë për ta.”
