Kombëtarja e Kosovës në futsall ka pësuar humbjen e dytë radhazi ndaj Italisë, në kuadër të Grupit 10 të raundit kryesor kualifikues për Kupën e Botës 2028.

Pas disfatës dramatike 4-3 në Prishtinë, “Dardanët” janë mposhtur edhe në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në Itali, këtë herë me rezultat 3-0.

Kështu, përfaqësuesja kosovare nuk ka arritur të marrë pikë në dy përballjet e drejtpërdrejta me italianët, të cilët vazhdojnë të kryesojnë grupin.

Kujtojmë se Kosova e kishte nisur këtë rrugëtim me fitore ndaj Gjeorgjisë, duke mbajtur ende gjallë shpresat për avancim në fazën tjetër të kualifikimeve.

Ndeshjen e radhës në këtë kampanjë, Kosova do ta zhvillojë më 24 shkurt 2027, kur do të përballet sërish me Gjeorgjinë.

Në raundin kryesor kualifikues, fituesit e 12 grupeve dhe katër nënkampionët më të mirë sigurojnë kalimin në raundin elitar të kualifikimeve për Kupën e Botës 2028./IndeksOnline/