**Kuvendi i Kosovës mblidhet sërish nesër: Publikohet rendi i plotë i ditës**

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë thirrur të mblidhen sërish nesër për një seancë të radhës, pas asaj të mbajtur sot. Seanca është paraparë të nisë në orën 10:00, në Sallën e Seancave të Kuvendit.

Sipas njoftimit për media të lëshuar nga Kuvendi, në këtë mbledhje pritet të shqyrtohen dhjetë pika të rëndësishme të rendit të ditës.

**Rendi i Ditës përfshin:**

1. Miratimin e procesverbalit nga seanca e mëparshme;
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës;
3. Pyetjet parlamentare;
4. Shqyrtimin e Projektligjit nr. 11/L-024 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ekstradim;
5. Shqyrtimin e Projektligjit 11/L-025 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Transferimin e Personave të Dënuar;
6. Shqyrtimin e Projektligjit nr. 11/L-026 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë për Ndihmën e Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale;
7. Shqyrtimin e Projektligjit nr. 11/L-027 për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës;
8. Propozim-Programin e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Sesionin Vjeshtor 2026;
9. Interpelancën me ministrin e Ministrisë së Shëndetësisë, z. Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesën e barnave onkologjike;
10. Mocionin përmbajtësor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.