Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, me rastin e Ditës së Veteranëve Amerikanë, ka shprehur mirënjohje për shërbimin, përkushtimin dhe sakrificën e veteranëve të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka theksuar se kjo ditë ka një domethënie të veçantë për popullin e Kosovës.

“Kontributi vendimtar i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e Kosovës më 1999 dhe angazhimi i vazhdueshëm i ushtarëve amerikanë për paqen dhe sigurinë në vendin tonë mbeten pjesë e pandashme e historisë dhe mirënjohjes sonë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka falënderuar veteranët amerikanë për shërbimin dhe sakrificën e tyre.

“Faleminderit të gjithë veteranëve amerikanë për shërbimin dhe sakrificën tuaj. Kosova do të jetë gjithmonë mirënjohëse!”, ka përfunduar Hoti.