Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, i ka bërë thirrje Qeverisë që të rrisë mbikëqyrjen mbi çmimet, duke theksuar se krizat ndërkombëtare nuk mund të shërbejnë si justifikim për çdo shtrenjtim.

Nagavci theksoi rëndësinë e dallimit ndërmjet rritjes së çmimeve që vjen si pasojë e kostos së furnizimit dhe lëndëve të para, dhe atyre shtrenjtimeve që bëhen në mënyrë abuzive. Ajo vuri në pah se rritja e çmimeve po rëndon familjet, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, kur shpenzimet për ngrohje dhe energji shtohen.

“Po afrohen edhe festat e fundvitit. Familjeve u shtohen shpenzimet për ngrohje dhe energji. Në të njëjtën kohë, luftërat dhe krizat ekonomike po vazhdojnë të ndikojnë në çmimet e energjisë, të lëndëve të para dhe të produkteve ushqimore në mbarë botën,” deklaroi Nagavci. Ajo shtoi se, ndonëse Kosova nuk është palë në këto luftëra, pasojat ekonomike të tyre janë ndier që nga viti 2022, dhe këtë vit rritja e çmimeve është bërë edhe më e ndjeshme për shkak të këtyre konflikteve.

“Krizat ndërkombëtare ndikojnë edhe në ekonominë tonë, madje shumë. Mirëpo ato nuk mund të përdoren si arsyetim për çdo shtrenjtim. Duhet të dihet se cilat çmime rriten për shkak të kostos së furnizimit apo lëndës së parë dhe cilat çmime rriten në mënyrë abuzive. Shtrenjtimi i jetesës i prek të gjithë, por jo të gjitha familjet i rëndon njësoj,” theksoi Nagavci. Ajo përmendi gjithashtu se qeveria, në periudhën e fundit, ka ndërmarrë masa konkrete për të mbështetur qytetarët përballë këtyre vështirësive.