**Haxhijaj sqaron veprimet e gjykatës për rastin Zekaj: Nuk kam hapur procedurë disiplinore**

Pejë – Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhijaj, ka ofruar sqarime lidhur me rastin e Arlinda Zekajt dhe veprimet e ndërmarra nga institucioni që ai drejton.

I pyetur nëse janë hapur procedura disiplinore për këtë çështje, Haxhijaj theksoi se ekziston një komunikatë e përbashkët, e publikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Themelore në Pejë.

“Kemi një komunikatë të publikuar nga Këshilli Gjyqësor dhe gjykata, e cila detajon veprimet e ndërmarra nga fillimi deri në përfundim. Unë nuk kam hapur procedurë disiplinore”, deklaroi Haxhijaj.

Ndërkohë, seanca fillestare kundër Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e caktuar për sot në Gjykatën Themelore në Pejë, është shtyrë.

Seanca, që zhvillohet në kuadër të rastit penal për veprën “Kanosja”, ishte paraparë të mbahej në orën 11:00, por u anulua pas kërkesës së avokatit të palës së dëmtuar, Besnik Berisha.

Seanca e radhës është caktuar për datën 24 nëntor 2026, në orën 13:00.