**Mbretëria e Bashkuar shpreh shqetësim për rivotimin e Ligjit të Dhomave të Specializuara**
**Londra paralajmëron se ndryshimet e propozuara mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.**
Mbretëria e Bashkuar ka shprehur shqetësimin lidhur me synimin e Kuvendit të Kosovës për të votuar sërish ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Nëpërmjet një deklarate të Ambasadës Britanike në Prishtinë, theksohet se modifikimet e propozuara nuk do t’i shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe rrezikojnë të dëmtojnë marrëdhëniet e saj me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë.
Ambasada britanike deklaroi se ka marrë plotësisht parasysh reagimet dhe ndjenjat e forta të krijuara pas aktgjykimeve të fundit. Megjithatë, ajo beson se qëllimet e Kosovës mund të arrihen më së miri duke siguruar respektimin e vazhdueshëm të zotimeve ndërkombëtare, përkushtimin ndaj llogaridhënies, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Për këtë arsye, Ambasada inkurajon Kuvendin e Kosovës të marrë kohën e nevojshme për konsultime të mëtejshme, si brenda vendit, ashtu edhe me Bashkimin Evropian dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë.
