Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj ka prezantuar përvojën e shtetndërtimit të Kosovës në Slemani Strategic Forum, të organizuar nga Qeveria e Rajonit të Kurdistanit të Irakut.
Në fjalën e tij, Hoxhaj foli për rolin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në ndërtimin e Kosovës së pavarur.
“Kosova është model i shtetndërtimit me mbështetje amerikane dhe evropiane”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook, ku ka publikuar një pjesë të fjalës së tij në forum.
Deputeti i PDK-së theksoi se politika e jashtme e një vendi nis me fqinjët dhe se bashkëpunimi rajonal është domosdoshmëri ekonomike.
Gjatë ditës së sotme, në margjinat e forumit në Slemani, Hoxhaj është takuar me Kiril Petkovin, ish-kryeministër i Bullgarisë, dhe me Ali Babacanin, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-kryediplomat i Turqisë.
Para pjesëmarrjes në forumin e Slemanit, Hoxhaj ishte folës në Konferencën e Sigurisë në Berlin dhe mori pjesë në Samitin e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC) në Hagë, si anëtar i kësaj aleance.
