Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) po përballet me mungesë të barnave thelbësore në Repartin e Kujdesit Intensiv Qendror, të cilat janë jetike për trajtimin e pacientëve. Shefi i këtij reparti, Shaqir Uka, ka theksuar se këto barna janë të domosdoshme për shpëtimin e jetëve.

Uka i tha KosovaPress-it se në muajt e fundit ka pasur ndërprerje në furnizimin me medikamente, përfshirë edhe ato nga Lista Esenciale. Kjo mungesë paraqet shqetësim të madh, pasi barnat janë të nevojshme për trajtimin e pacientëve në gjendje kritike.

“Kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi mungesë të disa barnave, si nga Lista Esenciale ashtu edhe jashtë saj, të cilat janë të domosdoshme për trajtimin e pacientëve dhe shpëtimin e jetëve. Kjo, nëse analizohet, ka një peshë të vetën, të cilën fatkeqësisht nuk po mundemi ta tejkalojmë,” deklaroi Uka.

Ai theksoi se çdo pacient i shtruar në Kujdesin Intensiv duhet të marrë trajtimin e nevojshëm, pavarësisht moshës, kombësisë apo shtetësisë. Uka shtoi se në këtë repart trajtohen edhe pacientë nga vendet e rajonit dhe shtete të tjera, sidomos gjatë verës, kur qytetarët e huaj mund të kenë aksidente ose probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në Kosovë.

“Ne konsiderojmë se secili ka të drejtë të marrë trajtimin për shpëtimin e jetës dhe këtu nuk duhet të ketë kurrfarë pazari,” theksoi Uka.

Megjithatë, ai sqaroi se, pavarësisht mungesës së caktuar, reparti në përgjithësi është i furnizuar me shumicën e barnave dhe materialeve mjekësore. Uka shtoi se vonesat e muajve të fundit mund të lidhen me procedura të ndryshme, por nuk specifikoi përgjegjësinë për situatën e krijuar.

“Në 99% të rasteve, ne jemi të furnizuar me barnat dhe materialet mjekësore që u duhen pacientëve tanë. Megjithatë, vërejmë se në muajt e fundit ka pasur probleme në furnizim për shkak të procedurave të ndryshme. Tani, a janë këto probleme politike, mungesë nga Qeveria, mungesë buxheti apo mungesë fondesh,” pyeti ai.

Shefi i Kujdesit Intensiv Qendror shpjegoi se në rastet kur një bar thelbësor nuk gjendet në repart ose në barnatoren qendrore të QKUK-së, mjekët detyrohen t’ua përshkruajnë atë familjarëve, të cilët më pas duhet ta sigurojnë jashtë institucionit.

“Nëse një pacient ka nevojë për një ilaç jetëshpëtues dhe ai nuk gjendet në Qendrën Klinike apo në barnatoren qendrore, ne jemi të detyruar t’ia përshkruajmë familjarit që ai të mund ta sigurojë,” nënvizoi Uka.

Ai theksoi se pavarësisht problemeve me furnizimin, prioriteti i personelit mjekësor mbetet trajtimi i pacientëve dhe shpëtimi i jetëve. Sipas Ukës, sigurimi i pandërprerë i barnave dhe materialeve mjekësore është thelbësor për funksionimin e repartit dhe trajtimin e duhur të pacientëve në gjendje kritike.