Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, ka deklaruar se vendi i tij po përgatitet për një sulm të mundshëm ushtarak nga Shtetet e Bashkuara. Kjo deklaratë vjen pas komenteve të fundit të homologut amerikan, Donald Trump, të cilat u interpretuan si një kërcënim për ndërhyrje ushtarake.

“Ne jemi të vendosur të sprapsim çdo përpjekje për agresion ushtarak të huaj kundër vendit tonë,” citohet të ketë thënë Díaz-Canel.

Megjithatë, presidenti kubanez theksoi se vendi i tij është paqësor dhe nuk përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Këto deklarata vijnë pasi Presidenti Trump, gjatë një interviste radiofonike, shprehu dëshirën për të sjellë ndryshimin e pushtetit në Kubë brenda dy viteve të mbetura të mandatit të tij, duke mos përjashtuar as përdorimin e forcës ushtarake.

“Dua që kjo situatë me Kubën të marrë fund përpara se të largohem,” tha Trump, duke shtuar se “patjetër do ta merrte në konsideratë” mundësinë e një veprimi ushtarak.

Díaz-Canel kritikoi deklaratat e përsëritura të politikanëve amerikanë lidhur me mundësinë e agresionit ushtarak ndaj Kubës, ndonëse nuk e përmendi drejtpërdrejt presidentin Trump.

Ai i bëri këto komente në qytetin Boyeros, në jug të kryeqytetit Havana, para komandantëve të lartë ushtarakë, përfaqësuesve të Partisë Komuniste dhe autoriteteve lokale.

Ndërkohë, që nga thellimi i krizës në Venezuelë dhe ndërhyrjet e supozuara të Shteteve të Bashkuara atje në janar, Kuba ka intensifikuar përgatitjet mbrojtëse.

Në mbarë vendin janë zhvilluar ushtrime dhe takime të rregullta ushtarake për koordinimin e masave të mbrojtjes. Po ashtu, pjesëtarë të ushtrisë po zhvillojnë trajnime bazike ushtarake për civilët, në kuadër të strategjisë së njohur si “Lufta e të Gjithë Popullit”.