**Tragjike: Ndahet nga jeta në moshë të re Agron Memedi, ish-futbollist dhe ndihmës trajner i KF Shkëndija**

Në moshë të re ka ndërruar jetë Agron Memedi, ish-futbollist dhe anëtar i stafit teknik të Klubit Futbollistik “Shkëndija” nga Tetova. Memedi, me origjinë nga fshati Përshevcë i Tetovës, ishte një figurë e njohur në futbollin lokal.

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur vetë klubi kuqezi përmes një njoftimi në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e Memedit.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Agron Memedit, anëtarit të stafit teknik dhe ish-futbollistit të klubit tonë,” thuhet në njoftimin e klubit.

KF Shkëndija theksoi se klubi ka humbur një nga njerëzit e tij, një figurë që ishte pjesë e familjes kuqezi, fillimisht si futbollist dhe më pas si pjesë e stafit teknik.

“Në këto momente të rënda, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Memedi, të afërmit dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën Agronin. Ai do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes sonë,” shton klubi në mesazhin e tij ngushëllues.

Njoftimi përfundonte me fjalët prekëse “U prehsh në paqe Goni!”.