**Ish-drejtori i Spitalit të Mitrovicës shfaqet në stadium pas ndryshimit të masës së arrestit shtëpiak**

Gëzim Berisha, ish-drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, u pa mes shikuesve në stadiumin “Fadil Vokrri” gjatë ndeshjes Kosovë-Izrael. Ai publikoi fotografi në rrjetet sociale, duke dëshmuar praninë e tij në stadium.

Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte caktuar Berishës masën e arrestit shtëpiak për një muaj, pasi dyshohej se kishte kryer veprën penale “Dhunë në familje” ndaj ish-bashkëshortes së tij.

Megjithatë, ky vendim është ndryshuar. Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, konfirmoi se masa e arrestit shtëpiak i është zëvendësuar me masën e ndalimit për t’iu afruar viktimës. Ajo shpjegoi se Gjykata e Apelit e Kosovës ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të Berishës, duke ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore. Kështu, arresti shtëpiak i caktuar për një muaj është zëvendësuar me masën që e ndalon të pandehurin t’i afrohet ish-bashkëshortes.

Berisha aktualisht është pezulluar nga posti i drejtorit në Spitalin e Mitrovicës.