Ndërprerjet në trafikun ajror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë edhe sot, pas një defekti në sistemin e komunikimit të kontrollit të trafikut ajror. Si pasojë, mbi 900 fluturime janë anuluar vetëm gjatë ditës së sotme, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte.

Në total, mbi 15 mijë fluturime janë anuluar brenda dy ditësh. Ndalimi kombëtar i fluturimeve u vendos të premten në orën 15:54 sipas orës lokale dhe u hoq pas më shumë se katër orësh. Gjatë kësaj periudhe, avionët që ndodheshin tashmë në ajër vazhduan dhe u ulën në mënyrë të sigurt, ndërsa të gjitha nisjet e tjera u pezulluan.

Sekretari amerikan i Transportit deklaroi se shkak i problemit ishte një ruter, i cili gjatë punimeve për modernizimin e rrjetit mbingarkoi sistemin e komunikimit të kontrollit ajror.

Përtej defektit të fundit, incidenti ka rikthyer në qendër të vëmendjes gjendjen e infrastrukturës së aviacionit amerikan, e cila prej vitesh përballet me pajisje të vjetruara dhe një mungesë të theksuar të mijëra kontrollorëve të trafikut ajror. Për këtë arsye, Sean Duffy i ka kërkuar Kongresit amerikan 50 miliardë dollarë për modernizimin e plotë të sistemit.

Aktualisht, komunikimet janë rikthyer në funksionim të plotë dhe autoritetet sigurojnë se fluturimi është i sigurt. Megjithatë, hetimi për përgjegjësinë e kompanisë kontraktore dhe për shkaqet teknike të defektit vazhdon.

Ndalimet kombëtare të fluturimeve janë jashtëzakonisht të rralla në historinë e aviacionit amerikan, me një precedent të ngjashëm të regjistruar më 11 shtator 2001, pas sulmeve terroriste.