**Isni Kilaj udhëton drejt Hagës, në pritje të aktgjykimit për pengim të drejtësisë ndaj tij, Hashim Thaçit dhe të tjerëve**

Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, njëkohësisht ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka bërë të ditur se sot është nisur për në Hagë. Ky udhëtim vjen dy ditë para shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ku ai akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë.

Në këtë rast gjyqësor, bashkë me z. Kilaj, të akuzuar janë edhe ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, si dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Para nisjes, z. Kilaj ka publikuar fotografi familjare në rrjetet sociale, duke shprehur pritshmërinë e tij për drejtësi në vendimin që do të shpallet më 17 nëntor, në orën 10:00.

“Sot po nisem për në Hagë! Më 17 nëntor do të marrim verdiktin nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Pres drejtësi! Sido që të jetë, gjithmonë dhe përjetësisht do të jem me Çlirimtarët!”, ka shkruar Kilaj në njoftimin e tij.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, Hashim Thaçi dhe bashkë të akuzuarit e tjerë ngarkohen me vepra penale që lidhen me përpjekje të paligjshme për të ndikuar mbi dëshmitarët në një proces gjyqësor për krime lufte.