Spanja do të prezantojë trofeun e Kupës së Botës para ndeshjes me Anglinë

Madridi përgatitet për një mbrëmje të veçantë futbolli, teksa Spanja do të përballet me Anglinë në një ndeshje kyçe të Ligës së Kombeve.

Para fillimit të takimit, tifozët në stadiumin “Metropolitano” do të kenë rastin të festojnë një moment tjetër historik për futbollin spanjoll: prezantimin e trofeut të Kupës së Botës.

Federata Mbretërore e Futbollit e Spanjës ka organizuar një ceremoni të veçantë për të nderuar kombëtaren, e cila në vitin 2010 fitoi për herë të parë titullin e Kampionit të Botës.

Një nga çastet më emocionuese të mbrëmjes do të jetë prezantimi i trofeut prestigjioz para tifozëve në “Metropolitano”. Këtë detyrë pritet ta kryejë Fernando Torres, një prej legjendave të gjeneratës së artë të Spanjës, i cili do t’ia dorëzojë trofeun kapitenit aktual të kombëtares, Unai Simón.

Në ceremoninë speciale, pritet të marrin pjesë edhe emra të njohur të historisë së futbollit spanjoll, si Iker Casillas dhe Fernando Llorente.

Por festa nuk do të përfundojë me prezantimin e trofeut. Federata ka organizuar gjithashtu një koreografi madhështore në tribuna, një shfaqje dritash dhe aktivitete të ndryshme për tifozët, duke e kthyer këtë përballje në një mbrëmje të paharrueshme.

Spanja synon ta mbyllë fazën e grupeve të Ligës së Kombeve me një tjetër rezultat pozitiv, ndërsa Anglia do të kërkojë fitoren për të luftuar për vendin e parë në grup. /IndeksOnline/