Gjykata Administrative e Kosovës ka vendosur se konfiskimi i përkohshëm i automjeteve nga pronarët që nuk janë kryes të kundërvajtjes mund të bëhet vetëm duke zbatuar parimin e proporcionalitetit.

Ky vendim, i marrë në çështjen administrative Ap.nr.2257/24, e iniciuar nga paditësi A.M. kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme – Policisë së Kosovës, thekson rëndësinë e këtij parimi ligjor themelor.

Gjykata vlerëson se neni 246, paragrafi 6, krijon një lloj konfiskimi automatik të automjetit, edhe kur pronari i tij nuk ka qenë shkaktar i kundërvajtjes. Ky nen nuk ofron mundësinë për të shqyrtuar nëse pronari ka pasur dijeni, apo jo, se drejtuesi që ka kryer shkeljen ishte i ndaluar të ngiste automjetin.

Sipas Gjykatës, nuk kontestohet e drejta e Policisë së Kosovës për të bërë konfiskimin e përkohshëm të automjetit në bazë të paragrafit 6 të nenit 246, madje edhe në rastet kur ai bëhet ndaj një automjeti pronari i të cilit nuk ka qenë kundërvajtës. Megjithatë, ajo thekson se zbatimi i kësaj dispozite, përmes së cilës autorizohet në mënyrë automatike konfiskimi i përkohshëm i automjeteve të personave të tretë, duhet të bëhet duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit konkret. Në veçanti, veprimi i tillë duhet të jetë në harmoni me parimin e proporcionalitetit, i cili përbën një parim bazë për organet publike gjatë ushtrimit të veprimeve administrative.

Prandaj, Gjykata vlerëson se Policia e Kosovës, me rastin e nxjerrjes së vendimit të kontestuar për konfiskimin tre-mujor të automjetit të paditësit – i cili nuk ishte kryes i kundërvajtjes – nuk ka zbatuar parimin e proporcionalitetit. Ajo nuk ka bërë një vlerësim të drejtë dhe të balancuar midis masës së vendosur ndaj pronarit të automjetit (i cili nuk ishte kundërvajtës) dhe qëllimit që synohet të arrihet ndaj vetë shkelësit, sidomos kur automjeti i konfiskuar nuk ishte në pronësi të kryesit të kundërvajtjes.