Vlora Çitaku reagon ashpër ndaj dënimit të Thaçit nga Gjykata Speciale: E turpshme dhe e papranueshme!

Vlora Çitaku, ushtruese e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-Presidentit Hashim Thaçi me 17 muaj burgim. Nëpërmjet një deklarate, Çitaku e ka cilësuar këtë vendim si “të turpshëm dhe të papranueshëm”, duke theksuar se drejtësia nuk mund të funksionojë me dy standarde.

Ajo shprehu zhgënjimin dhe shqetësimin e thellë për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj Thaçit dhe të tjerëve, në procesin që lidhet me pengimin e drejtësisë. Çitaku ngriti pikëpyetje serioze mbi administrimin e drejtësisë nga kjo Gjykatë, duke përmendur kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare, të cilat sipas saj, “i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze”.

Sipas UD-së së kryetares së PDK-së, është e pafalshme që drejtësia të ketë standarde të ndryshme: “një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë”.

Në fund të reagimit të saj, ajo theksoi se padrejtësisë do t’i përgjigjen me “qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar”, si dhe me “veprime konkrete politike, juridike e diplomatike”, duke premtuar “vendosmëri, deri në fund!”.

Çitaku përsëriti gjithashtu se “Lufta jonë për liri ishte e drejtë” dhe se “UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare”, duke shtuar se “sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset – asnjëherë”. Reagimi i saj përfundoi me thirrjen “Me çlirimtarët, deri në liri!”.