**Reagimi i Uran Ismailit pas vendimit të Gjykatës Speciale: Historia e çlirimit nuk mund të rishkruhet si histori faji**
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila dënoi ish-presidentin Hashim Thaçi.
Sipas Ismailit, një popull që ka luftuar për lirinë e tij nuk mund të pranojë që historia e çlirimit t’i rishkruhet si histori faji.
Përmes një postimi të detajuar, Ismaili theksoi se vendimi i fundit i Gjykatës Speciale ngre pikëpyetje serioze mbi drejtësinë dhe paanshmërinë e këtij procesi, duke shtuar se “mentaliteti i kësaj gjykate duket se është dënimi me çdo kusht”.
Ai argumentoi se ky proces, tash e një kohë, ka tejkaluar dimensionin juridik individual dhe është shndërruar në një çështje të trajtimit të historisë sonë. “Viktima po vendoset në pozitën e agresorit dhe lufta çlirimtare po gjykohet jashtë kontekstit të shtypjes që e shkaktoi,” tha Ismaili.
Një qasje e tillë, sipas deputetit të PDK-së, mbart tipare të një mentaliteti kolonial, i cili, i maskuar me autoritetin e drejtësisë ndërkombëtare, injoron faktet historike dhe pasojat e rënda të vendimeve të tij. Këto pasoja, theksoi ai, rëndojnë mbi figurat më të shquara të vendit, mbi shoqërinë dhe mbi të ardhmen e Kosovës së pavarur.
Në fund të postimit të tij, Ismaili bëri thirrje për një angazhim të organizuar të shtetit dhe shoqërisë. Ai theksoi se kërkesa për drejtësi të paanshme dhe mbrojtja e së vërtetës historike kërkojnë përgjegjësi, këmbëngulje dhe veprim të përbashkët. “Heshtja nuk mund të jetë zgjidhja jonë,” shtoi ai, duke ripërsëritur se një popull që ka luftuar për lirinë e vet nuk mund të pranojë që historia e çlirimit t’i rishkruhet si histori faji.
