**Dënimi i ish-Presidentit Thaçi: Limaj thekson se Kosova nuk mund të mbetet spektatore, institucionet duhet të marrin përgjegjësitë**

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si padrejtësi vendimin e sotëm ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili u dënua me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë. Limaj e shprehu qëndrimin e tij përmes një postimi në Facebook.

Njëkohësisht, ai ngriti shqetësime lidhur me mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore në Hagë, raporton IndeksOnline.

“Edhe një padrejtësi, edhe një arsye më shumë për të ngritur seriozisht çështjen e drejtësisë që po administrohet në emër të Kosovës. Drejtësia nuk është vetëm shpallja e një aktgjykimi,” ka shkruar Limaj. Ai shtoi se drejtësia “kërkon paanshmëri, integritet, barazi të palëve dhe zbatim të standardeve të njëjta për të gjithë. Çdo proces gjyqësor duhet të garantojë të drejtën e mbrojtjes, shqyrtimin e paanshëm të provave dhe respektimin e plotë të standardeve të një gjykimi të drejtë”.

Limaj theksoi gjithashtu se këto shqetësime nuk duhet të anashkalohen.

“Pikërisht për këtë, shqetësimet rreth mënyrës së zhvillimit të këtyre proceseve nuk mund të anashkalohen. Kosova nuk mund të mbetet thjesht spektatore. Institucionet tona duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë. Kuvendi duhet të veprojë, ligji duhet të rikthehet në fuqi dhe duhet të hapet një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e kësaj Gjykate. Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, për dinjitet dhe për institucione që mbrojnë interesin e shtetit të tyre,” përfundoi Limaj.