Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar një reagim institucional pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në platformën sociale Instagram, Veseli shprehu pakënaqësinë e tij me vendimin, duke e cilësuar atë si instrumentalizim të drejtësisë dhe përdorim të saj për diskreditimin e një figure historike dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai citohet të ketë shkruar: “Një pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit. Një instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë si armë për diskreditimin e një figure historike dhe UÇK-së që ai përfaqëson.”

Veseli bëri gjithashtu thirrje për reagim nga institucionet shtetërore, duke theksuar nevojën për ndërmarrjen e veprimeve konkrete lidhur me zhvillimet në Hagë.

Sipas tij, “Është urgjente që shteti t’i inkurajojë institucionet ndërkombëtare t’i kushtojnë vëmendje asaj që po ndodh në Hagë dhe kjo përdhosje që po i bëhet të vërtetës dhe të drejtës nga ajo gjykatë, të dënohet.”