Vazot e Euro 2028: Shmanget dueli mes Kosovës dhe Shqipërisë

Pas përfundimit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve, janë konfirmuar zyrtarisht pesë vazot për shortin e kualifikimeve të Kampionatit Evropian “Euro 2028”.

Të dyja kombëtaret, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, janë pozicionuar në Vazon e tretë. Ky fakt nënkupton se “Dardanët” dhe “Kuqezinjtë” nuk do të mund të përballen me njëra-tjetrën gjatë këtij cikli kualifikues.

Shorti do të mbahet më 6 dhjetor në Belfast të Irlandës së Veriut. Aty, 54 kombëtare do të ndahen në 12 grupe: gjashtë grupe me nga katër ekipe (Grupet A–F) dhe gjashtë grupe me nga pesë ekipe (Grupet G–L).

Për shkak të rregullave të UEFA-s, të vendosura për arsye politike, Kosova nuk do të mund të bjerë në të njëjtin grup me Serbinë apo Bosnjën dhe Hercegovinën, të cilat ndodhen në Vazon e dytë. Këto përballje të ndaluara vlejnë gjithashtu edhe për çiftet Spanjë – Gjibraltar, Armeni – Azerbajxhan dhe Ukrainë – Bjellorusi.

Direkt në “Euro 2028” kualifikohen 12 fituesit e grupeve dhe 8 ekipet më të mira të pozicionuara në vendin e dytë. Vendeve të mbetura do t’u shtohen ekipet që do të sigurojnë kualifikimin përmes ndeshjeve të “play-off”-it, të cilat do të zhvillohen në mars të vitit 2028.

Më poshtë gjendet ndarja e plotë e vazove për shortin e Euro 2028:

**Vazoja 1:** Anglia, Portugalia, Franca, Gjermania, Spanja, Belgjika, Holanda, Norvegjia, Greqia, Italia, Danimarka, Kroacia.
**Vazoja 2:** Uellsi, Serbia, Turqia, Çekia, Zvicra, Suedia, Austria, Irlanda e Veriut, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria, Republika e Irlandës.
**Vazoja 3:** Ukraina, Skocia, Kosova, Polonia, Izraeli, Rumania, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Islanda, Sllovakia.
**Vazoja 4:** Estonia, Bjellorusia, Ishujt Faroe, Qiproja, Finlanda, Moldavia, Armenia, Bullgaria, Kazakistani, Luksemburgu, Letonia, San Marino.
**Vazoja 5:** Malta, Azerbajxhani, Lituania, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni.

Ndeshjet e para kualifikuese për grupet me pesë ekipe fillojnë në mars të vitit 2027, ndërsa ato të grupeve me katër ekipe zhvillohen nga shtatori deri në nëntor të të njëjtit vit.

*Burimi: IndeksOnline*