**SHBA miraton shitjen e sistemeve raketore HIMARS për Shqipërinë, konfirmon Ministri Nufi**

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar shitjen e mundshme të dy sistemeve të artilerisë raketore M142 HIMARS për Shqipërinë.

Përmes një postimi në Facebook, Nufi theksoi se paketa, me vlerë të përllogaritur rreth 210 milionë dollarë, përfshin përveç sistemeve raketore, edhe municione, trajnimin e personelit ushtarak shqiptar dhe mbështetje për mirëmbajtjen e tyre. Financimi i kësaj blerjeje parashikohet të realizohet përmes një kredie nga programi amerikan i financimit ushtarak – FMF.

Sipas ministrit, pajisja me këto sisteme synon të rrisë ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe të forcojë kontributin e vendit në Aleancën e NATO-s.

Në reagimin e tij të plotë, Nufi tha se Shqipëria ka kërkuar të pajiset me dy sisteme të artilerisë raketore M142 HIMARS, kërkesë e cila është miratuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili më pas ka njoftuar edhe Kongresin amerikan.

“E mirëpresim këtë hap në bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara. Me këto sisteme, Forcat e Armatosura të Shqipërisë do të fitonin aftësinë për të vepruar me saktësi në distanca të gjata, duke forcuar mbrojtjen e vendit dhe kontributin tonë në NATO,” u shpreh Nufi.