Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me FIFA-n, ka organizuar një punëtori treditore në kuadër të Programit të FIFA-s për Zhvillimin e Talenteve (FIFA Talent Development Scheme). Fokusi i kësaj punëtorie ishte identifikimi, vlerësimi dhe zhvillimi i futbollistëve të rinj.
Punëtoria, e cila zhvillohet nga data 17 deri më 19 nëntor, synon të krijojë një qasje të përbashkët dhe të strukturuar për identifikimin e talenteve. Kjo përfshin analizën përmes videos, hartimin e planeve individuale të zhvillimit (IDP) për futbollistët, si dhe përcaktimin e profileve të lojtarëve që Kosova synon t’i zhvillojë në të ardhmen.
Dita e parë iu kushtua praktikave më të mira të klubit holandez FC Groningen. Vëmendja e ditës së dytë u përqendrua në përvojat ndërkombëtare, konceptin e futbollistit të së ardhmes dhe ndërtimin e profileve të lojtarëve.
Përmes prezantimeve dhe punës në grupe, pjesëmarrësit diskutuan mbi identitetin e futbollit, cilësitë kryesore që duhet t’i karakterizojnë futbollistët dhe mënyrat e identifikimit të tyre. Gjithashtu, u shqyrtuan kërkesat në zhvillim të futbollit ndërkombëtar në aspektet teknike, taktike, fizike, kognitive dhe psikosociale.
Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua përcaktimit të 5-6 cilësive prioritare, të cilat duhet t’i karakterizojnë futbollistët e ardhshëm të Kosovës. Kjo përfshiu edhe sjelljet konkrete që mund të vëzhgohen dhe vlerësohen në grupmosha të ndryshme.
Punëtoria po drejtohet nga ekspertë ndërkombëtarë si Mirelle van Rijbroek (e cila po merr pjesë online), Andy Gould dhe Arnar Vidarsson. Ata bashkëpunojnë me përfaqësuesit e FIFA-s dhe stafin e FFK-së.
Dita e tretë e punëtorisë do t’i dedikohet ndërtimit të modelit kombëtar të lojës, harmonizimit të parimeve të lojës me profilet e futbollistëve dhe integrimit të këtyre proceseve në një strategji të përbashkët për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve.
Një nga rezultatet kryesore të punëtorisë pritet të jetë hartimi i udhërrëfyesit strategjik të FFK-së për vitin 2027. Ai do të përfshijë objektiva, përgjegjësi dhe afate konkrete për zhvillimin e tre shtyllave kryesore: profilet kombëtare të futbollistëve, modeli i lojës për ekipet kombëtare të grupmoshave dhe strategjia kombëtare për identifikimin e talenteve.
Përmes kësaj nisme, FFK synon të ndërtojë një sistem më të koordinuar dhe afatgjatë. Ky sistem do të lidhë identifikimin e hershëm të talenteve me zhvillimin e tyre dhe përgatitjen për nivelet më të larta të futbollit.
